Alketa Vejsiu
E lindur dhe rritur në Tiranë, në një familje artdashëse, Alketa nisi ta shpaloste talentin që në fëmijëri për të kulmuar në kthesën e madhe profesionale, në moshën 17 vjeçare në spektaklin “12 ëndrrat e një nate vere". Më pas karriera e saj ka njohur vetëm ngritje, duke filluar me drejtimin e programet e para muzikore që sollën revolucion në konceptin e muzikës dhe prezantimit në Shqipëri, deri në prezantimin dhe drejtimin artistik të Festivalit të 58 Këngës, si dhe në pjesëmarrjen në Sanremo 2020. Sot Alketa është shndërruar në një nga prezantueset më të spikatura dhe të dashura të ekranit shqiptar.
Falë integrimit të jetës publike me angazhimin në botën e spektaklit, Alketa është prej kohësh jo vetëm sipërmarrëse, producente apo imazh i kompanive të rëndësishme, por edhe e vlerësuar si një nga gratë shqiptare më me ndikim.
E etur për njohuri të reja dhe si një "nxënëse" e përjetshme, Alketa ka ndjekur trajnuesit më të mirë në nivel global, si dhe është kualifikuar në programet e lidershipit në Universitetin e Harvardit.